Ky është shteti i parë i BE-së që ndalon shitjen e cigareve elektronike

Belgjika ka vendosur të ndalojë shitjen e cigareve elektronike, të njohura si vape, për arsye shëndetësore dhe mjedisore, duke u bërë lider në Bashkimin Europian.

Ministri i Shëndetësisë, Frank Vandenbroucke, theksoi se këto produkte janë bërë një kërcënim për shëndetin, pasi ato përbëjnë një mënyrë të lehtë për adoleshentët të kalojnë në nikotinë dhe të zhvillojnë varësi. Ai gjithashtu nënvizoi se cigaret elektronike shpesh përmbajnë nikotinë, e cila është e dëmshme për shëndetin.

Vandenbroucke gjithashtu ka ngritur shqetësimin për ndikimin e cigareve elektronike në mjedis, duke theksuar se ato krijojnë mbetje kimike të rrezikshme që mbeten në natyrë. Ky është një hap i rëndësishëm për Belgjikën, e cila po ndjek shembullin e Australisë, që e shpalli të jashtëligjshme shitjen e cigareve elektronike jashtë farmacive më herët gjatë këtij viti.

“Ne jemi vendi i parë në Evropë që e bëjmë këtë”, tha Vandenbroucke. Ai gjithashtu kërkon masa më të ashpra ndaj duhanit në bllokun 27-vendësh.

“Ne me të vërtetë po i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që të dalë tani me iniciativa të reja për të përditësuar, modernizuar legjislacionin e duhanit”, shtoi ai.