Rrëshqitje masive nga reshjet në Durrës, rrezikon të fundoset një lagje

Një rrëshqitje masive toke në Porto Romano ka shqetësuar banorët, të cilët ndihen të rrezikuar për shkak të dëmeve të mundshme në banesat dhe bizneset e tyre. Çarjet në tokë janë të dukshme në një segment prej rreth 1.2 km, si dhe në kodrën përreth, ku banorët raportojnë plasaritje në disa zona.

Sipas banorëve, shkaku kryesor i situatës është ndërprerja e punimeve për thellimin e kanalit të ujërave të larta që përshkon këtë zonë.

Në terren kanë mbërritur inspektorë të bashkisë për të vlerësuar situatën nga afër, duke konfirmuar se është në dijeni të problematikës, por pretendon se rrëshqitja nuk lidhet me punimet për rehabilitimin e kanalit.

Autoritetet vendore kanë kërkuar analizimin e situatës nga ekspertë gjeologë nga Tirana për të identifikuar shkaqet dhe për të përcaktuar masat e nevojshme për ndërhyrje. Kjo zonë është pjesë e një investimi të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e Parkut Urban të Spitallës, me një fond prej rreth 1 miliard lekësh. Punimet, që përfshijnë edhe mbylljen e kanalit të ujërave të larta, janë ende në vijim.