Flinte në një strehë të stacionit të trenit në Strasburg, gjendet pa jetë shqiptari nga Kosova

Një ngjarje tragjike ka ndodhur më 1 shkurt në Strasburg, Francë. Në orët e mëngjesit, policia franceze ka gjetur trupin e pajetë të një shtetasi nga Kosova.

Sipas mediave franceze, viktima është identifikuar si 37-vjeçari Sabit Haxhiaj. Raportohet se ai po flinte në një strehë pranë stacionit të trenit të qytetit kur ka ndërruar jetë.

Një media lokale shkruan se Haxhiaj kishte mbërritur në Strasburg pesë vite më parë dhe zakonisht kalonte netët me një mik të tij. Ishte pikërisht ky mik që e gjeti të pajetë. Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e vdekjes.

Mësohet gjithashtu se më 24 janar, Haxhiaj kishte bërë një kërkesë urgjente për strehim pranë Pikës së Pritjes së Solidaritetit të SNCF, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.