Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj duket se ka nisur t’i përgjigjet akuzave të SPAUK-ut ndaj tij, duke analizuar dosjen me mbi 300 faqe të prokurorit Olsi Dado.
Veliaj e ka nisuru këtë duke reaguar lidhur me deshminë e tij të penalitetit, ku në dosje ai paraqitet si “i dënuar”. Ky detaj u bë pjesë e debatit dje në sallën e GJKKO-së, ku prokurori Dado u shpreh se bëhej fjalë për një lapsus, pasi Veliaj nuk rezulton të jetë i dënuar.
Por sipas Veliajt, nuk është thjesht një lapsus, “është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes”, shprehet ai.
Kurdisja e një paçavureje 1
Nuk mund të rri pa folur edhe për një skandal të rëndë që zbulova dje në sallën e gjyqit, e shkruajtur e zezë mbi të bardhë, që në faqen e parë të paçavures së hartuar me zell të madh nga prokurori Ols Dado.
U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruajtur: “Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Çertifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.”
Kur e mësova, ky detaj më tronditi edhe mua personalisht, ashtu siç mund të ketë tronditur jo pak njerez të tjerë sepse dëshmia ime e penalitetit është e pastër.
Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time.
Pra, që në faqen e parë të akuzës të ngritur kundër meje na qenka bërë gabimisht një lapsus frojdjan kaq i rëndë, e njëkohësisht kaq qesharak, nga prokurori hartues i dosjes.
Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”?
Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime.
Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.