‘Petalja më e bukur socialiste’, Dasho Veizaj, nën hetim nga SPAK për votim të dyshimtë në Himarë

Dasho Veizaj, i njohur për deklaratat e tij në Kuvendin Kombëtar të Forumit Rinor të Partisë Socialiste, është kallëzuar në SPAK me akuzën e falsifikimit të dokumenteve zgjedhore. Dyshimet lidhen me votimin e tij në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Himarës, ndonëse ai ka deklaruar publikisht se është lindur dhe rritur në Lushnjë.

Pak javë më parë, Dasho Veizaj mori vëmendjen e opinionit publik me fjalimin e tij në Kuvendin e Forumit Rinor të PS-së, ku e quajti veten dhe bashkëmoshatarët e tij “petalet më të bukura të trëndafilit socialist”. Por tani, ai është në qendër të një kallëzimi penal të depozituar në SPAK, ku akuzohet për manipulim të dokumenteve me qëllim ndryshimin e vendbanimit, duke i hapur rrugë votimit në Himarë.

Nga dokumentet e publikuara, rezulton se Veizaj ka qenë pjesë e listës së votuesve në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Himarës vitin e kaluar, ndërkohë që vetë ka deklaruar publikisht se ka lindur dhe është rritur në Lushnjë. Kjo ka ngritur dyshime të forta mbi ligjshmërinë e transferimit të tij në gjendjen civile dhe të drejtën e tij për të votuar në këtë zonë.

Kallëzimi ndaj tij është bërë nga ish-kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria, i cili ka kërkuar nga SPAK që ky rast të përfshihet në hetimin e nisur për lëvizjen e votuesve në favor të kandidatit socialist, Vangjel Tavo.

“Sa kohë që shtetasi Dasho Veizaj, publikisht deklaron se ka lindur dhe është rritur në Lushnjë, ka dyshime të arsyeshme se transferimi prej tij i gjendjes civile në Bashkinë Himarë është kryer në shkelje të ligjit nr. 10129/2009, duke përdorur dokumentacion të falsifikuar për të provuar vendbanimin apo qëndrimin e tij në Bashkinë Himarë, me qëllim mbështetjen e një subjekti të caktuar zgjedhor, konkretisht kandidatit të Partisë Socialiste, “petal” i së cilës është edhe ai”, thuhet në kallëzimin e depozituar nga Gjikuria.

Ndërkohë, SPAK nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar për këtë çështje, por ky kallëzim shton më tej polemikat mbi fenomenin e manipulimit të listave të zgjedhësve, një praktikë që është denoncuar edhe më herët në disa procese zgjedhore në vend.

Pritet që hetimi të zbardhë nëse kemi të bëjmë me një manipulim të pastër elektoral apo thjesht një lëvizje formale e justifikuar ligjërisht.