Nuredin Dumani: Si i morëm 30 orë dhe 8.3 kg ar argjendarit në Elbasan!

Në Gjykatën e Posaçme, vijojnë seancat gjyqësore për dosjen e njohur “Plumbi i Artë”, ku i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka dhënë dëshmitë e tij për ngjarje të ndryshme kriminale.

Në seancën e kësaj të enjteje, Dumanit iu dhanë mundësitë të përgjigjej në lidhje me aktivitetin dhe lidhjet e tij me grupe kriminale, ndërsa ai rrëfeu dhe për një grabitje të kryer në qytetin e Elbasanit. Sipas Dumanit, grabitja ishte realizuar në vitin 2011 ose në fillim të vitit 2012, dhe kishte të bënte me një argjendar të Elbasanit.

Dumani shpjegoi se ai dhe Gentian Sharra kishin bashkëpunuar për vjedhje të mëdha, duke përfshirë transportimin e makinave të vjedhura dhe organizimin e grabitjeve. Kjo grabitje ishte ndër më të mëdhatë që kishin kryer, me objektiv argjendarin, dhe sipas dëshmive, Sharra ishte ai që kishte planifikuar operacionin.

Në momentin e grabitjes, Dumani dhe Ilirjan Keci ishin ata që goditën viktimën në një parkim dhe, pas ardhjes së Talo Çelës dhe Sharrës, ata realizuan pjesën tjetër të grabitjes. Dumanin e pyetën dhe për detajet e grabitjes, përfshirë çantat e vjedhura, të cilat përmbanin mbi 30 orë dhe 8.3 kg ar. Dumanin rrëfeu se, pas grabitjes, ata i kishin shpërndarë sendet e vjedhura në shtëpinë e Talo Çelës dhe i kishin larguar çantat për të shmangur ndonjë mundësi që ato të kishin pajisje GPS.

Të gjitha këto veprime janë pjesë e dëshmisë që Dumani po jep për të ndihmuar drejtësinë, pas bashkëpunimit të tij në hetime.

Dumani: “Jam shpërngulur nga Dibra drejt Rrogozhinës, më pas në Durrës dhe kam lëvizur herë pas here. Në vitin 2020 kam marrë një apartament në Elbasan, përballë parkut.”

Në vijim të seancës, Dumani u pyet edhe për njohjen me Gentian Sharrën, një tjetër person i lidhur me grupet kriminale.

Avokati: “Nga e njihni Gentian Sharrën?”

Dumani: “E njoh nga Talo Çela që prej vitit 2010-2011. Ai kishte një lokal pranë shtëpisë së Talo Çelës në Bradashesh. Gjithashtu, kishte dhe një servis, ku kam qenë disa herë, si vetëm ashtu edhe me persona të tjerë.”

Sipas dëshmisë së Dumanit, ai dhe Sharra kishin bashkëpunuar në vjedhje dhe grabitje të ndryshme, përfshirë një grabitje të një argjendari në Elbasan në vitin 2011 ose fillimin e vitit 2012.

Dumani: “Në fillim transportonim makinat e vjedhura dhe më pas organizonim grabitjet. Kjo grabitje ishte ndër më të mëdhatë që kemi kryer. Objektivi ishte një argjendar në Elbasan, u planifikua nga Gentian Sharra, i cili donte të merrte pjesë pasi ishte një shumë e madhe. Ditën e grabitjes, unë dhe Ilirjan Keci shkuam të parët. E goditëm viktimën në një parkim të një lagjeje të vjetër, teksa po shkonte drejt makinës së tij, një ‘Benz’ i vjetër. Më pas, Talo Çela dhe Sharra erdhën për të ekzekutuar pjesën tjetër të planit.”

Ku u diskutua plani për grabitjen?

Dumani: “Plani u bisedua në shtëpinë e Talo Çelës, e cila ndodhet pranë servisit të Gentian Sharrës. Shtëpia ishte dykatëshe me çati dhe në atë kohë nuk kishte portë, por vetëm rrjetë.”

Si ishte viktima dhe si u krye grabitja?

Dumani: “Viktima ishte trupmbushur dhe më i gjatë se unë. Grabitja u krye në orën 07:00-08:00 të mëngjesit, gjatë një dite me shi. I morëm dy çanta, një blu e errët ose e zezë, nuk e mbaj mend saktë.”

A e mësuat emrin e viktimës?

Dumani: “Nuk e kam fiksuar, pasi nuk më interesonte.”

Çfarë kishte brenda çantave?

Dumani: “Në çanta kishte bizhuteri të ndryshme, mbi 30 ora dhe rreth 8.3 kg ar, pa llogaritur orët. Pas grabitjes, shkuam në shtëpinë e Talo Çelës dhe i zbrazëm sendet në papafingo. Hoqëm çantat për të shmangur ndonjë pajisje GPS.”

Si u larguat nga vendngjarja?

Dumani: “Atë ditë kishim një ‘Benz 2500’ me ngjyrë blu të errët. Shkuam dhe u kthyem me të njëjtën makinë. Po ashtu, kishim dhe dy mjete të tjera, një ‘Rover 75’ dhe një tjetër ‘Benz 2500’.”

Çfarë ndodhi me çantat e grabitura?

Dumani: “Çantat i hoqi Talo Çela, por nuk e di se ku i çoi.”

Çfarë veshje kishit ditën e grabitjes?

Dumani: “Nuk e mbaj mend.”

Si ndodhi momenti i grabitjes?

Dumani: “Ilirjan Feçi mori çantën dhe situata na doli pak jashtë kontrollit, pasi nuk donim ta vrisnim viktimën.”

A pati përplasje fizike me viktimën?

Dumani: “Nuk pati kohë për konflikt, pasi ai u godit me levë.”

Kush ndodhej në makinë gjatë kthimit nga vendngjarja?

Dumani: “Në mjet ishim unë, Ilirjan Feçi, Gentian Sharra dhe Talo Cela.”