Janë 62 milionë euro të vendosura në dispozicion të 730,430 pensionistëve, të cilët do të ndahen në dy nivele.
Ata që kanë pension bazë 20 mijë lekë do të përfitojnë 10 mijë lekë bonus dhe të tjerët 5 mijë lekë. Duke nisur nga 1 marsi është parashikuar të nisë shpërndarja e bonusit të pranverës për pensionistët. Ky është një fond i ri i përcaktuar nga qeveria dhe e vendosur i depozituar Bankën e Shqipërisë me një vendim që mban datën 9 janar, por që do të kthehet në një standard të përvitshëm, ku përveç bonusit të fundvitit, do të ketë një të dytë në pranverë.
Në dhjetor, po të ndarë në dy nivele, pensionistët morën 15 mijë dhe 10 mijë bonus. Ndërkohë që pas një konsultimi publik, qeveria “Rama” premton se do të rishikojë në mandatin e 4 jo vetëm masën e pensionit, por edhe disa aspekte të reformës së pensioneve.
PREMTIMI
Në bashkëbisedimin që pati dje me qytetarët në rrjetet sociale në rubrikën “Sy m’sy”, Kryeministri Edi Rama deklaroi se fondi është derdhur në llogarinë e posaçme për pensionistët dhe bonusi i pranverës do të lëvrohet duke filluar nga data 1 mars.
“Po e filloj me një ritheksim nga dita e djeshme, se më kishin kapur në fjalë që nuk u dha bonusi i pranverës për pensionistët, doli gënjeshtra etj. dhe publikova në ‘Twitter’ vendimin e 9 janarit të qeverisë për dhënien e ‘bonusit të pranverës’ për pensionistët, i cili lëvrohet duke filluar nga data 1 mars”, tha Rama duke zbardhur shifrën totale të fondit vënë në dispozicion për pensionistët.
“Sipas planit dhe sipas premtimit, bonusi është 62 milionë euro, nuk janë pak për buxhetin e Republikës sonë. Dhe për të gjithë ata që marrin deri në 200 euro pension, do të jetë 100 euro bonus. Dhe për ata që marrin mbi 200 euro pension, do të jetë 50 euro bonus”, u shpreh Rama.
“Kështu që nga 1 marsi dhe në vijim pensionistët do të mund të tërheqin bonusin e pranverës. Do të jetë i disponueshëm dhe nuk ka asnjë diskutim që ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi”, tha Rama teksa iu përsëriti pensionistëve që bonusi i pranverës është në dispozicion në bazë të vendimit të marrë nga qeveria që në datën 9 janar.