Tiranë, 27 shkurt 2025 – Aktori i humorit Gazmend Paja ka shkuar sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku iu sekuestrohet celulari. I njohur gjithashtu për investimet e tij strategjike në pasuri, Paja është parë mëngjesin e sotëm duke hyrë në godinën e SPAK. Pas një qëndrimi të shkurtër, ai doli dhe iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
Një gazetar e pyeti aktorin: “Hera e dytë në SPAK, ishe si aktor apo si investitor strategjik?” Gazmendi iu përgjigj me nota humori dhe i tha:
“Jo, isha me prokurorin në kafe, pa dashje mori celularin tim dhe solli të tijn dhe mori timin. Nuk e njoh prokurorin,” tha ai, duke e lënë të paqartë shkakun e vizitës së tij në SPAK.
Aktori ka qenë i pranishëm edhe dy ditë më parë në SPAK, dhe ende nuk dihen detaje të plota mbi arsyen e kësaj vizite. Për momentin, asnjë informacion zyrtar nuk është dhënë për lidhjen e Pajes me hetimet në SPAK.