75 vjet të ndarë, i moshuari takon për herë të parë familjen biologjike për Krishtlindje

Dixon Handshaw kishte jetuar gjithë jetën duke menduar se ishte fëmijë i vetëm. Por, pas dekadash nga koha kur u birësua, 75-vjeçari zbuloi se kishte shumë vëllezër dhe motra, të cilët i takoi për herë të parë gjatë periudhës së Krishtlindjeve.

 

Gjatë fundjavës, Handshaw udhëtoi nga Karolina e Veriut drejt Nju-Jorkut për të takuar disa prej gjysmë-vëllezërve dhe motrave të tij përpara darkës familjare të Krishtlindjeve.

 

Gjithë jetën time kam ëndërruar të kisha motra dhe vëllezër diku”, – tha ai për WHAM, që filmoi momentin e parë të takimit të tij emocionues në aeroport. “Kjo është mrekullia ime e Krishtlindjes.”

 

Handshaw takoi rreth 50 të afërm që nuk e dinte se ekzistonin. Për të, kjo mbledhje ishte një surprizë e jashtëzakonshme, pasi prindërit e tij adoptues nuk kishin fëmijë të tjerë dhe as ai vetë.

 

 

Unë kurrë nuk kam takuar dikë që ka të njëjtën ADN me mua”, – tha ai. Megjithatë, sapo u takua me ta, ndjeu një lidhje të veçantë. “Ishte një ndjesi e jashtëzakonshme. Nuk kam përjetuar kurrë një dashuri kaq të madhe nga një familje.

 

I lindur në Buffalo, Nju-Jork, në vitin 1949, Handshaw u birësua kur ishte vetëm tremuajsh. Ai kaloi një fëmijëri të lumtur dhe prindërit adoptues nuk e fshehën kurrë adoptimin e tij.

 

Gjithmonë kisha dëshirë t’i gjeja të afërmit e mi, – rrëfeu ai, – por ligjet e Nju-Jorkut kishin mbyllur certifikatat e lindjes para adoptimit, duke e bërë të pamundur gjetjen e tyre.” Në vitin 2020, pas miratimit të një ligji të vitit 2019, certifikatat u rihapën, duke i hapur rrugën kërkimit të tij.

 

 

Në gusht të atij viti, Handshaw mësoi për herë të parë emrin e babait të tij biologjik, Robert “Bud” Romig.

 

Gjëja e parë që bëra ishte ta kërkoja në Google. Më doli nekrologjia e tij. Jo vetëm që u shokova nga ngjashmëria jonë fizike, por gjithashtu mësova se ai kishte shumë fëmijë të tjerë”, – tha ai.

Ndërkohë që nuk e di arsyen e birësimit të tij, ai zbuloi se babai i tij biologjik kishte diplomuar në fizikë në Cornell University, ndërsa nëna e tij biologjike kishte qenë sekretare e departamentit. Nëna nuk kishte pasur fëmijë të tjerë, por Handshaw donte të mësonte më shumë për vëllezërit dhe motrat nga ana e babait.

 

Robert Romig ishte martuar në Rochester me një grua që kishte tre fëmijë, të cilët ai i birësoi, dhe më pas pati edhe dy fëmijë të tjerë biologjikë.

 

Handshaw kontaktoi Gary, njërin prej djemve të birësuar të babait të tij, duke shpresuar se ai do të tregonte mirëkuptim për shkak të përvojës së përbashkët.

 

 

Gary, i cili ishte në punë duke ngrënë drekë, mori telefonatën e parë nga Handshaw.

 

Mora një telefonatë dhe nuk e njihja numrin. Rrallë përgjigjem kur nuk e njoh numrin, por për një arsye e hapa”, – kujton Gary. “Dhe ai më tha: ‘Përshëndetje, quhem Dixon. Ti je Gary Romig?’ I thashë: ‘Po, jam.’ Pastaj vazhdoi: ‘Unë jam vëllai yt.’ Dhe unë mbeta i habitur: ‘Çfarë?’”

Handshaw i dërgoi një foto, dhe Gary menjëherë njohu ngjashmërinë me babanë e tij.

Unë ia tregova foton familjes sime, dhe të gjithë thanë: ‘Është babi!’” – kujton ai. “Për dy orë e gjysmë, i mbajta të gjithë në ankth para se t’u thosha: ‘Është vëllai juaj i ri.’

Edhe pse nuk e kaluan Krishtlindjen së bashku, ata kanë planifikuar takime të tjera në të ardhmen e afërt. Për momentin, po kompensojnë kohën e humbur duke komunikuar çdo ditë në një grup mesazhesh.

Handshaw ruan kujtimet e dashura për prindërit e tij adoptues, por shton: “Gjithmonë kam dashur motra dhe vëllezër, dhe tani i kam. Mendova se do të ishte bukur të kisha një ose dy, por kam gjashtë!