Çelet rezidenca artistike “Vila 31 x Art Explora”me ambiente të hapura kulturore
Një rezidencë e re artistësh e njëkohësisht një ambient i hapur kulturor, i ofrohet kryeqytetit përmes Vilës 31, ish-vila e diktatorit Enver Hoxha, deri dje e izoluar, që pas projektit të qeverisë shqiptare në bashkëpunim me Fondacionin “Art Explora”, është transformuar për të sjellë një sinergji të re artistike në krijimtarinë bashkëkohore vendase, duke e hapur atë ndërkombëtarisht.
Vila është rinovuar nga një studio ndërkombëtare dhe programi do të presë mbi njëzet artistë në vit, për rezidenca 3-mujore të shpërndara në 3 sesione. Një gamë e gjerë ngjarjesh kulturore do të shfaqen në Vila 31 x Art Explora, duke përfshirë gjithë rajonin e Ballkanit.
Edi Rama i pranishëm në eventin përurues tha se vila 31 është shndërruar nga shtëpi me fantazma në një hapësirë që ka një program diametralisht të ndryshëm nga ai që ishte programi i kësaj ‘’shtëpie’’, por njëkohësisht, duke ruajtur një përmbajtje nga pikëpamja e dekorit që vetëm e bën këtë qendër më të jetueshme dhe më tërheqëse, dhe më frymëzuese në shumë aspekte.
Kryeministri tha se kjo është mundësi e jashtëzakonshme që krijohet për artistët e rinj, artistët shqiptarë, e rajonit, për artistët nga e gjithë bota për t’u takuar së bashku në një hapësirë, ku secili ka zonën e vet të pavarësisë së plotë, por ku të gjithë bashkë kanë edhe hapësirën e përbashkët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.