Aksident tragjik në Kosovë. Makina përplaset me mjetin e policisë, 3 të vdekur, 5 të plagosur.
Përplasja fatale ndodhi në aksin rrugor Mitrovicë-Pejë, konkretisht në fshatin Çubrel.
Rastin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, i cili u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave.
“Situata është rënduar pas aksidentit në Çubrel, me tri viktima deri tani të konfirmuara nga Policia e Kosovës. Thellësisht i prekur nga ky aksident ku u shuan tri jetë. Zoti ua lehtësoftë dhimbjen familjeve”, shkroi ai në Facebook.
Ndërkohë që sipas njoftimit të policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:40 në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, ku janë përfshirë dy automjete, njëra prej të cilave ishte makinë policie.
“Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara, kanë humbur jetën tre persona civilë, ndërsa pesë persona të tjerë kanë mbetur të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë,” thuhet në njoftim.