Tiranë, 13 shkurt 2025 – Çmimet e ushqimeve vazhdojnë të rriten, duke përkeqësuar situatën për konsumatorët, pavarësisht se inflacioni në nivelin e përgjithshëm për këtë fillim viti u rrit me vetëm 1.9%. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit për muajin janar është 1.9%, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 3.4%.
Rritja më e madhe është evidentuar në grupin e çmimeve të “Ushqimeve dhe pijeve joalkoolike”, i cili ka regjistruar një rritje prej 2.6%. Kjo ka pasur ndikim të madh në buxhetet familjare, pasi çmimet e produkteve ushqimore kanë vazhduar të rriten përtej normës së inflacionit të përgjithshëm.
Përveç ushqimeve, janë rritur edhe çmimet e grupeve të tjera si argëtimi dhe kultura, pijet alkoolike dhe duhani, mirëmbajtja dhe pajisjet shtëpiake, si dhe veshjet dhe këpucët. Çmimet për këto grupe kanë pësuar rritje nga 3.3% në 5.7%.
Në lidhje me çmimet e ushqimeve, INSTAT ka raportuar se nga 41 produkte bazë që konsumohen gjerësisht në vend, 29 prej tyre kanë pësuar rritje. Ky fenomen është ndikuar nga kriza në sektorin e bujqësisë, rënia e krerëve të bagëtisë dhe prodhimeve vendase, të cilat kanë kontribuar në këtë rritje të çmimeve.
Në detaje, çmimet e mishit kanë shënuar rritjen më të madhe brenda grupit të ushqimeve, me një rritje prej 4.0%, pasuar nga grupi i qumështit, djathit dhe vezëve me 3.3%, dhe më pas zarzavatet me 3.0%. Po ashtu, çmimet e peshkut janë rritur me 2.0%.
Përveç rritjes vjetore, INSTAT raporton gjithashtu se çmimet e ushqimeve të shportës kanë pësuar një rritje mujore prej 0.9%, krahasuar me muajin dhjetor. Ky trend shqetësues tregon se konsumatorët janë përballur me një shtim të vazhdueshëm të shpenzimeve për ushqime, çka e bën akoma më të vështirë përballimin e shpenzimeve ditore.Monitor
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.