Dita e sotme ka nisur me disa aksidente tragjike që kanë tronditur vendin dhe kanë lënë pas 4 viktima dhe 4 të plagosur.
Aksidenti i parë ka ndodhur rreth orës 05:05 në autostradën “Tiranë-Durrës”, ku një 28-vjeçar, i identifikuar si G. M., humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me trafikndarësen. Pas daljes nga mjeti, ai dhe tre pasagjerët u përplasën nga një tjetër automjet, i drejtuar nga shtetasi I. L. Si pasojë, G. M. humbi jetën, ndërsa të tjerët u plagosën dhe u dërguan në spital.
Një aksident tjetër fatal ka ndodhur rreth orës 14:00 në aksin Gjirokastër-Tepelenë, ku dy automjete u përplasën në “Kthesën e Viroit”. Shoferi i një automjeti “Volkswagen Cady”, P. K., 58 vjeç, dhe një pasagjer i paidentifikuar humbën jetën, ndërkohë që shoferi tjetër, B. Gj., u plagos lehtë.
Gjithashtu, këtë pasdite, rreth orës 18:00, në fshatin Suk 1, dy automjete u përplasën kokë më kokë, duke shkaktuar një bilanc tragjik me një të vdekur dhe disa bagëti të ngordhura.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti me drejtues shtetasin Q. M. është përplasur me automjetin e drejtuar nga shtetasi K. A., pasi dyshohet se bagëtitë e imëta kishin prerë rrugën automjeteve.
Fatkeqësisht, nga kjo ngjarje ka humbur jetën shtetasi F. G., i cili ndodhej në zonën e aksidentit duke drejtuar bagëtitë. Si pasojë e aksidentit kanë ngordhur edhe disa krerë bagëti.
Ky aksident tragjik ka hedhur edhe një herë dritë mbi problematikat e sigurisë rrugore në zonat rurale, ku shpesh në rrugë kalojnë jo vetëm automjetet, por edhe kafshët.
Aksidentet e sotme duket se po bëhen një pjesë e zakonshme e ditës. Ndonëse diskutimet për sigurinë rrugore janë të shumta, nuk vihet re asnjë ndryshim.