VlDE0/ Sk*ndal në Aeroportin e Beogradit: Vajza portugeze keqt’rajtohet se mbante një bluzë me flamurin shqiptar

Një incident skandaloz ka ndodhur sot në Aeroportin ‘Nikola Tesla’ të Beogradit, pikërisht në ditën e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Një vajzë portugeze, e cila ishte në tranzit drejt Amsterdamit, është përballur me një trajtim të papranueshëm nga ana e punonjësve të sigurisë vetëm për faktin se kishte veshur një bluzë me simbolin e flamurit shqiptar dhe figurën e Skënderbeut.

Ngjarja është denoncuar në redaksinë e JOQ Albania nga një qytetar shqiptar, i cili ka ndarë këtë rast të rëndë të diskriminimit dhe sjelljes agresive të autoriteteve serbe ndaj të dashurës së tij.

Sipas mesazhit të tij, punonjësit e aeroportit jo vetëm që i kërkuan asaj të hiqte bluzën, por gjithashtu i morën të gjitha lekët shqiptare që ajo mbante si kujtim dhe i hodhën në kosh, duke e quajtur këtë veprim një “provokim”.

Mesazhi i plotë i qytetarit:

“Përshëndetje JOQ, shpresoj të jeni mirë. Doja të ndaja një rast që sapo ndodhi në Serbi, pikërisht sot, ditën e Pavarësisë së Kosovës. E dashura ime është portugeze, por jeton në Holandë. Erdhi në Shqipëri tek unë, pasi i pëlqen shumë vendi ynë, dhe bleu një bluzë me stemën e Shqipërisë dhe Skënderbeun. Kur erdhi momenti për t’u kthyer në Holandë, duhej të kalonte nëpër Serbi me avion për në Amsterdam. Në aeroportin e Beogradit e trajtuan shumë keq, vetëm sepse kishte veshur bluzën me stemën tonë dhe figurën e Skënderbeut. Lekët shqiptare që kishte mbajtur si kujtim ia hodhën në kosh të plehrave, duke e konsideruar një provokim. Madje i kërkuan të hiqte bluzën dhe të qëndronte vetëm me të brendshme përpara të gjithëve! Edhe pse ajo nuk është shqiptare, përsëri e quajtën provokim. Po ju dërgoj videon dhe foton e bluzës që ajo mbante veshur. Kjo ndodhi në aeroportin e Beogradit, dhe më ka sjellë një indinjatë të madhe.”

Në videon e dërguar, vajza portugeze tregon incidentin e trajtimit të papranueshëm që ajo ka përjetuar nga autoritetet serbe.

“Ja çfarë ndodh në aeroportin e Serbisë. Të thonë të heqësh xhaketën. Ti e heq xhaketën dhe ata shohin që ke veshur një bluzë me simbolin shqiptar. Në momentin që e shohin, fillojnë të të bërtasin në serbisht. I lut të flasin anglisht me ty sepse nuk e kupton serbishten. Në të njëjtën kohë, të marrin të gjitha lekët. Të bërtasin vazhdimisht në serbisht edhe pse i lut që të flasin anglisht sepse nuk e kupton gjuhën e tyre. Pastaj duan që të heqësh rrobat dhe të rrish me të brendshme përpara të gjithëve. Kur refuzon të rrish me të brendshme përpara të gjithëve, të marrin veçmas dhe të kontrollojnë për më shumë se pesë minuta, duke të bërtitur, pasi të kanë vjedhur lekët. Kaq. Dhe kur kërkon ndihmë për të gjetur portën e nisjes, ata zemërohen dhe të dërgojnë në anën e gabuar. Kjo është përvoja ime në aeroportin e Serbisë me një bluzë shqiptare veshur. E mrekullueshme,” shprehet ajo në video.

Ky incident është një shkelje e hapur e të drejtave themelore të njeriut dhe një akt diskriminimi i pastër. Keqtrajtimi i një qytetareje të huaj vetëm për shkak të një simboli shqiptar është një turp për institucionet serbe dhe një tregues i qartë i klimës së urrejtjes që ende mbizotëron ndaj simboleve shqiptare në Serbi.

Ky rast duhet të dënohet gjerësisht për të parandaluar përsëritjen e akteve të tilla në të ardhmen.