“Coca-Cola” tërheq produktet për shkak të niveleve të larta të kloratit, në Shqipëri nuk bëhen dot analizat

Kompania “Coca-Cola” ka tërhequr pijet e saj nga disa tregje europiane pas zbulimit të niveleve të larta të kloratit, një përbërje kimike që mund të ketë efekte negative në shëndet.

Ekspozimi i lartë ndaj kësaj substance mund të shkaktojë probleme me tiroiden, veçanërisht te fëmijët.

Ndërsa vende si Belgjika, Britania, Franca, Gjermania, Luksemburgu dhe Holanda kanë vendosur të largojnë produktet e prekura nga tregu, në vendin tonë mungon një analizë e tillë, duke ngritur shqetësime mbi sigurinë e pijeve që konsumohen.

Të dhënat tregojnë se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka kryer një numër minimal analizash për produktet e “Coca-Cola”-s. Konkretisht, Drejtoria Rajonale e AKU në Tiranë ka realizuar vetëm gjashtë analiza nga viti 2020 deri në vitin 2024, një shifër dukshëm më e ulët krahasuar me Drejtorinë Rajonale të AKU në Korçë, e cila në të njëjtën periudhë ka kryer 62 analiza. Kjo pabarazi në monitorim shton edhe më shumë pikëpyetjet mbi kontrollin e cilësisë dhe sigurinë e produkteve që arrijnë te konsumatorët.