Gjatë një lidhje live për Euronews Albania, meteorologu Hakil Osmani bëri parashikimin e motit për javën e parë të marsit.
Sipas tij, temperaturat do të jenë më të larta se zakonisht, deri në 6 gradë Celsius mbi normën për këtë muaj.
Osmani tha se gjatë mesjavës rritja e temperaturave do të jetë edhe më e madhe, dhe i gjithë vendi dhe rajoni do të përfshihen nga moti i ngrohtë dhe pa erë.
Ai theksoi se vendi do të jetë nën mbizotërimin e motit të qendrueshëm, duke krijuar kushte për intervale të gjata me kthjellime, dhe se reshjet e shiut do të jenë të pakta, siç pritej edhe për ditën e sotme.
“Gjatë gjithë kësaj jave, vendi do të jetë nën mbizotërimin e motit të qendrueshëm, duke bërë që të kemi intervale të gjata me kthjellime. Ditën e sotme do të kemi vetëm momente të pakta me pika shiu,” tha Osmani.
Ai shtoi se duke filluar nga e martë dhe deri në fundjavë, do të ketë intervale të gjata me diell gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mesditës, veçanërisht në vijën bregdetare dhe në qytetet e zonave të ulëta, përfshirë Tiranën.