Nis shpërndarja e bonusit të Pranverës për pensionistët

Ka nisur nga kjo e hënë shpërndarja e bonusit të pranverës për pensionistët. Gjithësej, janë 730 400 të moshuar, brenda dhe jashtë vendit të cilët mund të tërheqin paratë në sportelet e Postës Shqiptare ose në bankat tregtare.

Sipas vendimit, ky shpërblim do të jetë shumat 5000 lekë për pensionet më të larta se 20 mijë lekë dhe 10000 lekë për pensionet nën 20 mijë lekë.

Në shifra, janë 520 mijë të moshuar që do të marrin nga 10 mijë lekë dhe pjesa tjetër 210 mijë, do të marrin gjysmën e kësaj vlere. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi llogariten afërsisht 6,3 miliardë lekë.

Qeveria ka premtuar të bëjë traditë këtë shpërblim, sikundër ka vepruar edhe gjatë festave të fundvitit, për të cilat paratë janë të sanksionuara me ligj.